Secondary Adv

Kosova importoi 680 milionë euro në qershor, deficiti tregtar u rrit me 16.1 për qind

Deficiti tregtar i Kosovës u zgjerua ndjeshëm gjatë muajit qershor 2026, teksa importet vijuan të rriten më shpejt se eksportet. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se importet arritën në mbi 680 milionë euro, ndërsa eksportet mbuluan vetëm 15 për qind të tyre.

Sipas statistikave zyrtare, deficiti tregtar në qershor arriti në 578.3 milionë euro, ose 16.1 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, kur ishte 498.3 milionë euro. Rritja e importeve ka vijuar të tejkalojë ritmin e eksporteve, duke thelluar më tej hendekun tregtar të ekonomisë kosovare.


Importet arrijnë në 680 milionë euro

Gjatë muajit qershor, eksportet e mallrave arritën në 102 milionë euro, ndërsa importet u ngjitën në 680.3 milionë euro.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet u rritën me 26.9 për qind, ndërsa importet me 17.6 për qind. Megjithatë, eksportet mbuluan vetëm 15 për qind të vlerës së importeve, duke reflektuar varësinë e lartë të vendit nga mallrat e importuara.


Metalet udhëheqin eksportet, produktet minerale importet

Metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbënin 27.4 për qind të eksporteve totale të Kosovës gjatë qershorit. Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt përkatës me 10.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7 për qind dhe produktet minerale me 7.1 për qind.

Nga ana tjetër, importet dominohen nga produktet minerale, të cilat përfaqësojnë 15.2 për qind të totalit. Pasojnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13 për qind, mjetet e transportit me 12 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9 për qind, si edhe metalet bazë me 9.8 për qind.

Kategoria me vlerën më të lartë të importeve ishte grupi "Të tjera", me 206.1 milionë euro. Produktet minerale u importuan në vlerë prej 103.1 milionë euro, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike në 88.1 milionë euro, mjetet e transportit në 81.3 milionë euro dhe ushqimet e përgatitura, pijet e duhani në 81.1 milionë euro. Importet e metaleve bazë arritën në 56.4 milionë euro, ndërsa produktet e industrisë kimike në 54.2 milionë euro.


Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor tregtar

Vendet e Bashkimit Europian vijojnë të jenë partneri më i madh tregtar i Kosovës. Eksportet drejt BE-së arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9 për qind të eksporteve totale, duke u rritur me 17.7 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025.

Gjermania ishte destinacioni kryesor i eksporteve me 10.1 për qind të totalit, e ndjekur nga Holanda me 3.8 për qind dhe Italia me 3.1 për qind.

Në të njëjtën kohë, importet nga vendet e BE-së arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8 për qind të importeve totale, me një rritje vjetore prej 22.2 për qind. Gjermania mbetet furnizuesi kryesor, e ndjekur nga Italia dhe Polonia.


Rriten edhe shkëmbimet me CEFTA-n

Eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 44 milionë euro, duke përbërë 43.1 për qind të eksporteve totale dhe duke u rritur me 19.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Nga ana tjetër, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 98.7 milionë euro, ose 14.5 për qind të importeve totale, gjithashtu me një rritje prej 19.3 për qind.


Kina dhe Turqia kryesojnë importet jashtë Europës

Eksportet drejt vendeve të tjera të botës arritën në 25.5 milionë euro, ose 25 për qind të totalit. Zvicra ishte partneri kryesor në këtë kategori, duke zënë 10 për qind të eksporteve, e ndjekur nga Turqia me 5.4 për qind.

Importet nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën në 276.7 milionë euro, duke përfaqësuar 40.7 për qind të importeve totale. Kina mbetet furnizuesi më i madh me 15.1 për qind të importeve, ndërsa Turqia renditet e dyta me 11.6 për qind.

Krahasuar me qershorin e vitit 2025, eksportet drejt këtyre vendeve u rritën nga 15.9 milionë euro në 25.5 milionë euro, ndërsa importet u zgjeruan nga 246.4 milionë euro në 276.7 milionë euro.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat